IONESKO (1912-1994)
lajm shkruar me rastin e vdekjes së Ioneskos.
përshtatur me rastin e botimit në këtë faqe.
© Artan Përnaska
Në mëngjesin e 28 Marsit 1994, rrjedha e zhurmshme e ngjarjeve dhe e punëve të botës, mbeti pezull për një çast midis derës dhe dritareve të apartamentit parizian të Eugjeni Ioneskos.
Nga radiot një zë që shqipton çdo shkronjë: "u nda prej nesh një krijues i pamatë ".
Lindur në Slatina të Rumanisë, dhe i natyralizuer francez qysh prej 1950, Eugène Ionesko ishte ndër ata autorë madhorë të këtij shekulli që kanë ndryshuar në mënyrë radikale vetë konceptin e të shkruarit dhe të gjuhës skenike. Fëmijërinë e kaloi në Francë ku mori mësimet e para, të cilat i vazhdoi në Bukuresht prej gjimnazit deri në Fakultetin Filologjik, ku u diplomua për gjuhë dhe letërsi frënge. Më 1938 u vendos përfundimisht në Francë ku prej vitit 1948 shkroi rreth 33 pjesë teatrale, nga të cilat La Cantatrice Chauve (Këngëtarja pa flokë), La Leçon (Mësimi), Les Chaises (Kariget), Le Rhinocéros (Rinoqeronti), dhe Le roi se meurt (Mbreti po vdes) janë më të njohurat.
Në 28 mars 1994 Këngëtarja pa flokë shfaqej për të 11 944-tën herë në teatrin e vogël të la Huchette-s. "Çfarë i tërheq të rinjtë në teatrin e Ioneskos ?", e pyetën Jacques Legré-në, drejtorin e teatrit la Huchette. "Një formë absurdi dhe pakuptimësie, që u është tepër e njohur. Një poezi plot humor, si p.sh. fraza e tij e mirënjohur nga Këngëtarja pa flokë, 'Ah, sa i përket këngëtares pa flokë (-tullace) ? - Ajo krihet gjithmonë njëlloj.'"
Gazetat rendën ta quajnë "princi i absurdit"; por ndoshta sizifi i absurdit, ose sidoqoftë Akademiku i absurdit. [Acad. fr. 1970]